Suzanne Rees, udhëtare e vetme në një kroçerë 60-ditore, humbi jetën në mënyrë tragjike pasi anija u largua pa e vënë re mungesën e saj
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë, ku një 80-vjeçare ka humbur jetën e vetme në një ishull të largët, pasi anija turistike me të cilën udhëtonte u largua duke e lënë pas.
E moshuara, Suzanne Rees, ishte pjesë e një udhëtimi 60-ditor me anijen “Coral Adventurer”, që kishte nisur një turn të gjatë rreth Australisë. Më 25 tetor, pas një ndalese në ishullin Lizard, rreth 240 kilometra nga Cairns, ajo u bashkua me disa pasagjerë të tjerë për një ecje në shtegun malor të njohur si Cook’s Look. Por Rees nuk arriti të kthehej kurrë në bord.

Sipas mediave australiane, gruaja u ndje keq gjatë ecjes dhe iu kërkua të kthehej e vetme drejt anijes. Pak më vonë, mjeti lundrues u nis drejt destinacionit tjetër, pa kryer kontroll të plotë të pasagjerëve. Vetëm pas pesë orësh, kur Rees nuk u shfaq për darkë, u kuptua se mungonte.
Kërkimet nisën menjëherë gjatë natës, por trupi i saj u gjet të nesërmen, rreth 50 metra larg shtigjeve, në një zonë të pyllëzuar.
Familja e saj ka akuzuar kompaninë për mungesë kujdesi dhe sensi të zakonshëm, duke theksuar se një grua e moshuar nuk duhet të ishte lënë vetëm në një zonë të tillë të izoluar. “Në një moment, anija u largua, pa bërë asnjë numërim të pasagjerëve. Në atë çast, nëna ime ishte ende aty, e vetme. Dhe aty vdiq”, tha vajza e saj, Katherine Rees.
Autoritetet australiane kanë nisur një hetim të gjerë për të zbardhur rrethanat e incidentit, ndërsa drejtori i kompanisë “Coral Expeditions”, Mark Fifiel, shprehu keqardhje të thellë për ngjarjen, duke theksuar se kompania po bashkëpunon plotësisht me hetimet.
Suzanne Rees, një grua e njohur për dashurinë ndaj natyrës dhe udhëtimeve, po kujtohet nga familja dhe miqtë si një shpirt aventurier që kërkonte bukurinë në çdo cep të botës, por udhëtimi i saj i fundit përfundoi në mënyrën më të dhimbshme të mundshme.
