Një grua 54-vjeçare dhe babai i saj 79-vjeçar humbën jetën në mënyrë dramatike në Rio Grande do Sul, pasi automjeti i saj përplasi një zgjua bletësh dhe u bë shkak për një sulm vdekjeprurës.
Një ngjarje e pazakontë dhe tragjike ka tronditur Brazilin jugor. Një grua dhe babai i saj kanë humbur jetën pasi u pickuan nga qindra bletë, në një incident që nisi si një aksident i lehtë rrugor. Ngjarja ndodhi në shtetin Rio Grande do Sul, kur 54-vjeçarja humbi kontrollin e kamionit të saj dhe goditi një zgjua bletësh që ndodhej buzë rrugës.
Sipas mediave braziliane, në momentin e përplasjes gruaja nuk pësoi lëndime, por pak çaste më vonë, ndërsa ndaloi për të kontrolluar automjetin, u përball me një tufë bletësh që e sulmuan menjëherë.
Të alarmuar nga zhurma e përplasjes, fqinjët njoftuan familjarët e saj që jetonin disa kilometra larg. Babai 79-vjeçar dhe nëna 72-vjeçare mbërritën për ta ndihmuar, por sapo u afruan pranë kamionit, të tre u sulmuan brutalisht nga bletët.
Ekipet e shpëtimit arritën me vonesë, pasi stacioni më i afërt i zjarrfikësve ndodhej rreth 60 kilometra larg. Kur mbërritën, situata ishte jashtëzakonisht e rëndë: gruaja kishte qindra pickime në trup dhe ndodhej në gjendje kritike. Ajo ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa prindërit e saj u dërguan në spital.
Babai vdiq një ditë më pas si pasojë e helmimit të shkaktuar nga pickimet e shumta, ndërsa e ëma arriti të mbijetojë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet kanë hapur një hetim për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit dhe për të kuptuar nëse zgjoi i bletëve ishte vendosur në mënyrë të parregullt pranë rrugës.
Ndërkohë, mediat lokale raportojnë se po të njëjtën ditë një incident i ngjashëm ndodhi në Guajanë Franceze, ku një grup punëtorësh u sulmua nga një tufë bletësh; një 29-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër 40-vjeçar ndodhet në gjendje kritike.
Ekspertët kujtojnë se sulmet vdekjeprurëse nga bletët janë jashtëzakonisht të rralla, por në raste të tilla masive, pickimet e shumta mund të jenë fatale, sidomos për personat e moshuar.
