
Ngjarja ndodhi gjatë punës në ndërtim, procedohet drejtuesi teknik i firmës dhe çështja i kalon Prokurorisë
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të diel në qytetin e Durrësit, ku një burrë 57 vjeç ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga një pallat ku po kryente punime ndërtimi.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima ishte duke punuar në objekt në momentin kur ndodhi aksidenti fatal. Si pasojë e rënies nga lartësia, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vend.
Në lidhje me këtë ngjarje, autoritetet kanë proceduar drejtuesin teknik të firmës së ndërtimit, për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore që lidhen me sigurinë në punë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe për veprime të mëtejshme ligjore.
