
Viktimat 14, 15 dhe 19 vjeç humbën jetën brenda automjetit që u fundos në pishinën e një shtëpie, ndërsa në makinë u gjetën kapsula me protoide azoti
Një aksident i rëndë gjatë orëve të para të mëngjesit në qytetin Alès të Francës ka përfunduar me vdekjen e tre të rinjve, pasi makina e tyre u përmbys dhe ra në pishinën e një banese private. Ngjarja ndodhi rreth orës 1:30, kur një Peugeot 207, për shkak të shiut të dendur, humbi kontrollin, goditi një mur ndarës dhe përfundoi me tavan në ujë, në një pishinë mbi 1.5 metra të thellë.
Të rinjtë, të moshave 14, 15 dhe 19 vjeç, dy prej të cilëve nga zona e Alès, dyshohet të jenë mbytur pasi nuk arritën të hapnin dyert e automjetit, të cilat u bllokuan nën presionin e ujit. Sipas ekspertëve, vetëm rrotat e makinës ishin të dukshme mbi sipërfaqe, ndërsa kabina ishte plotësisht nën ujë.
Gjatë këqyrjes së mjetit, hetuesit gjetën disa bombola me protoide azoti, por ende nuk ka prova nëse substanca është konsumuar para aksidentit. Analizat toksikologjike do të përcaktojnë rolin e mundshëm të saj në tragjedi. Mjeku ligjor ka konstatuar gjithashtu se asnjë prej viktimave nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.
Alarmi u dha nga pronari i shtëpisë ku ndodhej pishina, i cili rreth orës 5:45 të mëngjesit vuri re automjetin e përmbysur. Sipas burimeve të hetimit, të tre të rinjtë rezultojnë të kenë qenë të njohur më parë për raste të trafikut të drogës, dhe njëri prej tyre, 15 vjeçari, ishte arrestuar vetëm pak ditë më parë për të njëjtën çështje.
Autoritetet franceze po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar kush ishte drejtuesi i mjetit në momentin e aksidentit.
