

14-vjeçari me probleme të rënda sociale dhe shëndetësore, humb jetën pas sulmit brutal ndaj mësueses së tij, duke ringjallur debatin mbi sigurinë në shkolla.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën. Një 14-vjeçar, nxënës i klasës së 3-të në një shkollë të Benfeldit, rajoni Bas-Rhin, ka ndërruar jetë nga plagët e rënda që i shkaktoi vetes, pas një sulmi me thikë ndaj mësueses së tij të muzikës, 66 vjeçe.
Incidenti ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur adoleshenti trokiti në derën e klasës dhe sapo mësuesja hapi, ai e goditi disa herë me thikë në fytyrë. Pasi u largua nga vendngjarja, i riu i shkaktoi vetes plagë të thella në qafë. Ai u arrestua nga xhandarmëria dhe, ndonëse u dërgua me urgjencë në spitalin e Strasburgut, nuk arriti t’i mbijetojë dëmtimeve.
Autoritetet arsimore bënë të ditur se i mituri ishte i mbikëqyrur nga ekipi edukativ, pasi kishte një histori të vështirë personale dhe familjare. Ai ishte nën kujdesin e shërbimeve sociale dhe më herët ishte kontrolluar nga policia për sjellje problematike, përfshirë përdorimin e simboleve naziste dhe këngë të Wehrmacht-it gjatë orëve mësimore.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitet. Ish-kryeministrja Élisabeth Borne, e cila mbante postin e ministres së Arsimit në momentin e incidentit, u shpreh se shkolla duhet të mbetet një vend i shenjtë ku dhuna nuk ka vend. Ajo njoftoi rikthimin e mësimit ditën e enjte dhe mbajtjen e një qendre mbështetjeje psikologjike për nxënësit dhe mësuesit.