
Cilindri i gazit shpërthen dhe shkakton zjarr masiv në “Birch by Romeo Lane”; dhjetëra të bllokuar, hyrja e ngushtë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një klub nate shumë të frekuentuar në Goa të Indisë, duke shkaktuar të paktën 25 viktima, mes të cilëve edhe turistë. Ngjarja ndodhi rreth mesnatës në ambientet e lokalit “Birch by Romeo Lane”, ku në ato momente ishin të pranishëm rreth 100 persona në pistën e kërcimit.
Pamjet e publikuara online tregojnë çastin kur flakët shfaqen fillimisht pranë skenës, ndërsa bandat muzikore dhe valltaret performonin. Brenda pak minutash, zjarri përfshiu të gjithë ambientin duke krijuar panik dhe duke detyruar të pranishmit të nxitonin drejt daljeve.
Sipas policisë dhe mediave indiane, shkak i zjarrit mendohet të ketë qenë shpërthimi i një cilindri gazi në zonën e kuzhinës. Shefi i shtetit në Goa, Pramod Sawant, deklaroi se shumica e viktimave janë punonjës të lokalit, ndërsa 3 deri në 4 turistë janë mes personave që humbën jetën. Gjashtë persona të tjerë janë plagosur, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërhyrja e zjarrfikësve u vështirësua ndjeshëm për shkak të hyrjes dhe daljes së ngushtë të lokalit, duke i detyruar ekipet e emergjencës të ndalnin automjetet rreth 400 metra larg vendit të ngjarjes.
Kryeministri indian Narendra Modi reagoi për tragjedinë duke e cilësuar “thellësisht tronditëse” dhe siguroi se autoritetet po ofrojnë ndihmë për familjet e prekur dhe për të mbijetuarit.
Hetimet për shkaqet e sakta të ngjarjes dhe për mënyrën e menaxhimit të sigurisë në lokal tashmë kanë nisur.
