
Flakë të pakontrollueshme, skela bambuje që u përhapën si lëndë djegëse dhe mijëra banorë të bllokuar – zjarrfikësit luftojnë në kushte ekstreme ndërsa dhjetëra familje presin lajme për të afërmit.
Një zjarr i përmasave të jashtëzakonshme ka goditur Hong Kongun këtë të mërkurë, duke shkaktuar të paktën 36 viktima dhe duke lënë 279 persona të zhdukur, sipas bilancit të parë të publikuar nga South China Morning Post. Tragjedia ndodhi në zonën Tai Po, ku disa ndërtesa shumëkatëshe ishin në proces rinovimi.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale treguan skela të mëdha bambuje që u përfshinë nga flakët dhe e ndihmuan zjarrin të përhapej me shpejtësi në të paktën katër ndërtesa, përpara se të pushtonte një pjesë të tërë kompleksit rezidencial “Wang Fuk Court”, ku jetojnë rreth 4.600 banorë.
Policia konfirmoi se ka marrë qindra telefonata nga persona të bllokuar në apartamente, ndërsa disa prej tyre, një burrë dhe një grua, u raportuan të pavetëdijshëm dhe me djegie të rënda.
Organizatat e shpëtimit vlerësojnë se mbi 100 kafshë shtëpiake mund të jenë gjithashtu të bllokuara brenda zonës së prekur.
Zjarrfikësit e kanë kategorizuar ngjarjen si të nivelit 5, shkalla më e lartë e emergjencës në Hong Kong, një nivel që nuk ishte regjistruar që prej vitit 2008.
Nga autoritetet janë mobilizuar 757 zjarrfikës dhe 400 efektivë policie, por ndërhyrja e tyre është vështirësuar rëndë nga temperaturat ekstreme dhe shembja graduale e skelave të bambusë që rrezikojnë drejtpërdrejt ekipet e shpëtimit.
Drejtori i shërbimeve të emergjencës u ka kërkuar banorëve të ngujuar të mbyllin dritaret me peshqirë të lagur ose shirit plastik, për të shmangur hyrjen e tymit, dhe të sinjalizojnë vendndodhjen e tyre nëse nuk munden të dalin.
Operacionet e shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa bilanci pritet të rritet me kalimin e orëve.
