
Një helikopter emergjence mjekësore u rrëzua në mes të një autostrade në Sacramento, duke plagosur rëndë ekuipazhin prej tre personash. Autoritetet e quajnë një “mrekulli” faktin që asnjë automjet nuk u përfshi në përplasjen dramatike.
Një helikopter mjekësor i kompanisë REACH Air Medical është rrëzuar të hënën në mbrëmje në autostradën Highway 50 në Sacramento, Kaliforni, duke lënë tre persona në gjendje kritike, sipas autoriteteve lokale.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Sacramentos, helikopteri sapo kishte përfunduar transportin e një pacienti në spital dhe po kthehej në bazë, kur pësoi një “emergjencë në ajër” rreth orës 19:00.
Në bord ndodheshin piloti, infermierja dhe infermieri, të cilët u dërguan me urgjencë në spitale të zonës.
Kapiteni Justin Sylvia, zëdhënës i zjarrfikësve, tha se njëra nga viktimat, një grua, mbeti e bllokuar nën helikopter pas përplasjes, por u shpëtua falë përpjekjes së 15 personave që ndodheshin në vendngjarje.
“Na u desh çdo gram force që të ngrinim avionin mjaftueshëm për ta nxjerrë jashtë,” – tha Sylvia, duke përshkruar momentin dramatik të shpëtimit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë autostrada të bllokuara dhe re tymi të bardhë që ngriheshin nga rrënojat e helikopterit. Mrekullisht, asnjë makinë nuk u përfshi në aksident, pavarësisht se përplasja ndodhi në mes të trafikut të dendur.
Zëdhënësi i California Highway Patrol, Mike Carrillo, konfirmoi se rruga në drejtim lindor të Highway 50 u mbyll për disa orë, ndërsa hetimet mbi shkaqet e aksidentit vazhdojnë.
Ndërkohë, këshilltarja e qytetit të Sacramentos, Lisa Kaplan, e cila ndodhej në patrullë me policinë në momentin e ngjarjes, e përshkroi skenën si tronditëse dhe prekëse.
“Ky moment të bën të ndihesh mirënjohës për çdo ditë dhe për punën e pilotëve tanë mjekësorë që rrezikojnë jetën për të shpëtuar të tjerët,” – shtoi ajo.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje për shkaqet e aksidentit, ndërsa ekipet e emergjencës dhe ekspertët e aviacionit civil po hetojnë mundësinë e defekteve teknike.
Ngjarja ka ngjallur tronditje në komunitetin lokal, por edhe mirënjohje të thellë për heroizmin e shpëtimtarëve, që arritën të shmangnin një tragjedi të madhe në mes të një autostrade plot makina.