
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pasi autoritetet frikësohen se nën rrënoja mund të ketë ende persona të bllokuar.
Një ngjarje e rëndë ka goditur qytetin e Fezit në veri të Marokut, ku gjatë natës së të martës janë shembur dy ndërtesa katërkatëshe të ngjitura mes tyre. Sipas bilancit paraprak të raportuar nga agjencia shtetërore marokene MAP, kanë humbur jetën të paktën 19 persona, ndërsa 16 të tjerë janë plagosur me shkallë të ndryshme lëndimesh.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Al Moustakbal, në zonën Al Massira. Autoritetet vendase bëjnë të ditur se kërkimet vijojnë pa ndërprerje, pasi nën rrënoja dyshohet të ketë ende të zhdukur. Ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe forcat e sigurisë po punojnë intensivisht për të nxjerrë personat e bllokuar, ndërsa banorët e zonës janë në gjendje tronditjeje.
Shkaqet e shembjes ende nuk janë bërë të ditura dhe pritet raport zyrtar nga autoritetet marokene gjatë orëve të ardhshme.
