
Hekuran Cumani, me origjinë shqiptare, u gjet pa shenja jete pranë Departamentit të Matematikës. Hetuesit po verifikojnë dyshimet për një sherr që ka përfunduar në therje me thikë dhe përpjekje për të zhdukur gjurmët e gjakut.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin italian të Perugias në orët e para të mëngjesit të së shtunës. 23-vjeçari shqiptar Hekuran Cumani është gjetur i pajetë në parkingun e Departamentit të Matematikës të Universitetit të Perugias, me shenja dhune të forta dhe një plagë të thellë në gjoks, e cila rezultoi fatale.
Sipas burimeve të policisë italiane, trupin e të riut e kanë zbuluar disa kalimtarë rreth orës 04:00 të mëngjesit, të cilët njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Mjekët konstatuan se viktima kishte ndërruar jetë para mbërritjes së tyre.
Hetimet paraprake tregojnë se Cumani ndodhej në Perugia për fundjavë, së bashku me disa miq. Grupi i tij raportohet se ishte përfshirë në një debat me disa të rinj të tjerë, i cili u përshkallëzua në dhunë fizike dhe më pas në përdorim thike. Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja.
Në skenën e krimit policia ka gjetur njolla gjaku në disa pika të ndryshme të parkingut dhe në hyrje të godinës, si dhe shishe pijesh alkoolike dhe gota plastike, që sugjerojnë se të rinjtë mund të kenë konsumuar alkool para konfliktit. Hetuesit dyshojnë se një shishe plastike me gjurmë gjaku, e gjetur pak metra më tutje, mund të jetë përdorur nga dikush që ka tentuar të fshijë ose pastrojë gjurmët pas ngjarjes.
Zona universitare është rrethuar për orë të tëra, ndërsa oficerët e policisë shkencore po analizojnë materialet filmike nga kamerat e sigurisë për të identifikuar personat që u larguan menjëherë pas ngjarjes.
Prokuroria e Perugias ka hapur një hetim për vrasje me dashje, ndërsa policia po ndjek pistën e një konflikti të çastit mes dy grupeve të të rinjve. Autoritetet italiane janë në kontakt me ambasadën shqiptare për të njoftuar familjen e viktimës dhe për të bashkëpunuar në hetim.