
Pësoi arrest kardiak gjatë zbritjes në pistë në Claviere, ndërhyrja me helikopter nuk arriti ta shpëtojë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në pistat e skive në veri të Italisë, ku një skiator britanik, 49 vjeç, ka humbur jetën pasi ka pësuar arrest kardiak gjatë zbritjes në pistë. Tragjedia ndodhi më 4 janar, rreth orës 10:50 të mëngjesit, në resortin e njohur të skive në Claviere.
Sipas mediave lokale, burri ishte duke zbritur normalisht në pistë kur u rrëzua papritur, pasi zemra i pushoi së rrahuri. Menjëherë u dha alarmi dhe ekipet e patrullës së skive ndërhynë me ndihmë emergjente, duke kryer reanimim kardiopulmonar dhe duke përdorur defibrilatorin.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe aksesit të kufizuar, në vendngjarje u nis edhe një ekip shpëtimi me helikopter nga shërbimet emergjente italiane. Pavarësisht përpjekjeve intensive të mjekëve dhe ekipeve të shpëtimit, skiatori britanik u shpall i vdekur në vend.
Trupi i pajetë u transportua më pas drejt spitalit në zonën e Torinos, për procedurat e mëtejshme. Claviere, një destinacion i njohur turistik në kufirin mes Italisë dhe Francës, frekuentohet çdo vit nga mijëra pushues, veçanërisht nga skiatorë fillestarë dhe familjarë.
Kjo ngjarje vjen vetëm pak javë pas disa incidenteve të tjera fatale që kanë përfshirë skiatorë britanikë në Alpet europiane, duke rikthyer vëmendjen te rreziqet shëndetësore dhe siguria në sportet dimërore.
