
Doli nga shtëpia një natë më parë dhe nuk u kthye më; trupi i të miturit u gjet nga punëtorë të fshatit nën rrugë, pranë një ndërtese në ndërtim.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së martës rajonin e Prizrenit, ku një 17-vjeçar u gjet i pajetë në zonën mes Landovicës dhe Gjonajt. I riu, që kishte dalë nga shtëpia mbrëmjen e së hënës dhe nuk ishte kthyer më, ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët.
Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, trupi i tij u diktua nga disa banorë që po punonin në arat pranë rrugës, rreth shtatë deri në tetë metra poshtë saj, afër një muri ku po ngrihej një shtëpi e re.
Hetimet e para zbuluan se viktima, i identifikuar si V.N., 17 vjeç nga lagjja Arbane e Prizrenit, kishte humbur kontrollin e motoçikletës që drejtonte. Ai dyshohet se nuk i është përshtatur kushteve të rrugës, duke dalë nga trasa dhe u përplas në një mur mbrojtës. Goditja rezultoi fatale, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në vendngjarje kanë mbërritur njësitet hetimore dhe Prokuroria Themelore e Prizrenit, të cilat po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e aksidentit që i mori jetën të miturit. Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet përkatëse.