
Mes viktimave dy turistë, një mjek, një guidë lokale dhe piloti, helikopteri ishte në mision shpëtimi mjekësor
Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në malin Kilimanxharo në Tanzani, ku një helikopter është rrëzuar në një nga itineraret më të frekuentuara të alpinizmit, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave që ndodheshin në bord.
Sipas autoriteteve të aviacionit në Tanzani, aksidenti ka ndodhur në një lartësi rreth 15.400 metrash, pranë zonës Camp Barafu, një pikë kyçe për alpinistët që synojnë majën e malit më të lartë të Afrikës. Të gjithë personat në helikopter kanë humbur jetën në vend.
Viktimat janë identifikuar si dy turistë nga Republika Çeke, një mjek dhe një guidë lokale nga Tanzania, si dhe piloti i helikopterit, shtetas nga Zimbabve. Sipas njoftimit zyrtar të Tanzanian National Parks, helikopteri ishte angazhuar në një mision shpëtimi mjekësor në momentin e rrëzimit.
Komandanti rajonal i policisë, Simon Maigwa, konfirmoi se mjeti ajror operohej nga kompania Kilimanjaro Aviation, e specializuar në evakuime mjekësore dhe shërbime ajrore në zonat malore. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet kanë nisur për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Mali Kilimanxharo, që arrin mbi 20 mijë këmbë mbi nivelin e detit, vizitohet çdo vit nga rreth 50 mijë turistë nga e gjithë bota, duke u kthyer në një nga destinacionet më të njohura të alpinizmit global.
Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas një tjetër tragjedie ajrore në Afrikën Lindore, ku një avion i vogël me turistë u rrëzua në Kenia gjatë fluturimit drejt rezervatit Maasai Mara, duke lënë të vdekur të gjithë personat në bord.
Autoritetet kanë premtuar transparencë të plotë dhe publikimin e rezultateve të hetimit sapo të përfundojnë verifikimet teknike dhe operative.
