Ngjarje e rëndë në Vasilyevo: hetimet po verifikojnë nëse akti ndodhi nga xhelozia, ndërsa nëna rrezikon burg për braktisje të fëmijëve
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në fshatin Vasilyevo të Rusisë, ku një foshnjë vetëm 21-ditëshe ka humbur jetën pasi është hedhur nga dritarja e katit të katërt nga motra e saj pesëvjeçare. Tragjedia ndodhi ndërsa nëna e tyre ishte larguar nga banesa, duke i lënë të dyja vajzat vetëm.
Sipas raportimeve të mediave ruse, kalimtarë të rastit kanë dëgjuar të qarat e vajzës së vogël pranë dritares dhe pak çaste më vonë kanë parë trupin e foshnjës të shtrirë në tokë. Ekipet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por fatkeqësisht, mjekët konfirmuan se foshnja kishte ndërruar jetë në vend për shkak të plagëve të rënda nga rënia mbi beton.
Hetuesit kanë hapur një çështje penale për “vrasje nga pakujdesia” dhe “braktisje fëmijësh”, ndërsa po verifikojnë motivet që çuan në këtë tragjedi. Një nga pistat e hetimit është mundësia që vajza pesëvjeçare të ketë vepruar nga xhelozia pas lindjes së motrës së saj.
Një raport lokal citon burime pranë familjes që thonë se vajza e madhe ishte e shqetësuar për vëmendjen që prindërit po i kushtonin foshnjës, ndërsa nëna besohet të ketë dalë për të vizituar një mikeshë.
Kreu i qarkut Zelenodolsk, Mikhail Afanasyev, shprehu ngushëllimet për familjen dhe bëri thirrje që prindërit të jenë më të kujdesshëm: “Kjo ngjarje është një kujtesë e dhimbshme që asnjë fëmijë nuk duhet të lihet vetëm, qoftë edhe për pak minuta.”
Autoritetet ruse po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa nëna e fëmijëve përballet me akuza të rënda që mund ta çojnë për shumë vite pas hekurave.
