
Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të qytetit gjatë mbrëmjes, i riu nuk arriti t’u mbijetojë plagëve
Një ngjarje tragjike është shënuar mbrëmjen e së enjtes në Selanik, ku një i ri 19-vjeçar me origjinë nga Shqipëria ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i katit të katërt të një ndërtese banimi.
Sipas informacioneve paraprake nga mediat greke, incidenti ka ndodhur rreth orës 22:00 në qendër të qytetit. I riu ndodhej në një apartament me qira afatshkurtër, kur për arsye ende të paqarta ka rënë në boshllëk nga lartësia e katit të katërt.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë një ambulancë e shërbimit emergjent EKAB, por fatkeqësisht 19-vjeçari kishte ndërruar jetë dhe mjekët vetëm kanë konstatuar vdekjen e tij.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje, ndërsa pritet që të hidhet më shumë dritë mbi shkaqet që çuan në këtë tragjedi.
