
Adoleshentja mbante ilaçe në çantë, dyshohet për probleme familjare dhe gjendje të rënduar psikologjike
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e djeshme në kryeqytet, ku një vajzë 16-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht pasi u hodh nga kati i 9-të i një pallati në ndërtim, në rrugën “Gjon Buzuku”, pranë Rrugës së Dibrës.
Adoleshentja, e cila jetonte në Kamëz, kishte hyrë fshehurazi në objektin në ndërtim dhe pritur momentin kur punëtorët u larguan, për të kryer aktin fatal. Pas rënies nga lartësia, ajo ka ndërruar jetë në vend.
Në çantën e saj u gjetën disa ilaçe, ndërsa hetimet paraprake ngrejnë dyshime se vajza vuante nga probleme familjare dhe ishte në një gjendje të rënduar psikologjike.
Banorët e zonës ishin të parët që konstatuan ngjarjen dhe njoftuan policinë. Prindërit e saj, të tronditur nga tragjedia, ende nuk kanë dhënë një dëshmi zyrtare.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat që çuan 16-vjeçaren drejt vendimit ekstrem.