
Detaje tronditëse nga Greqia zbulojnë qetësinë e frikshme me të cilën një i ri vrau nënën e tij në shtëpi, ndërsa ajo po shihte televizor. Hetimet tregojnë për një marrëdhënie të tensionuar mes tyre, por pa shenja çrregullimi mendor.
Një vrasje makabre ka tronditur qytetin e Trikalas në Greqi, ku një 18-vjeçar vrau nënën e tij 54-vjeçare duke e mbytur me peshqir. Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi në mënyrë të ftohtë dhe të planifikuar, teksa gruaja po qëndronte e qetë në divan duke parë televizor.
Sipas të dhënave të hetimit, i riu ishte ulur pranë saj për disa minuta, më pas u ngrit, shkoi në banjë dhe mori një peshqir. Pa thënë asnjë fjalë, ai iu afrua nënës dhe ia mbështolli peshqirin rreth qafës derisa ajo humbi ndjenjat. Pak çaste më vonë, me një qetësi të ftohtë, telefonoi policinë dhe tha shkurt: Ejani të më arrestoni.
Forcat policore mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku gjetën trupin e pajetë të gruas dhe arrestuan autorin e dyshuar. Nga ekspertiza mjeko-ligjore u konfirmua se vdekja kishte ardhur nga mbytja, në përputhje me deklarimet e vetë 18-vjeçarit.
Burime nga policia bëjnë me dije se i riu nuk ka pasur probleme të njohura mendore, por kishte pasur konflikte të vazhdueshme me nënën e tij, me të cilën jetonte vetëm, pasi prindërit ishin të divorcuar. Sipas dëshmive, përplasjet e tyre kishin lidhje me mënyrën e jetesës dhe vendimet personale të gruas.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik grek për shkak të mënyrës së kryerjes së krimit dhe mungesës së çdo reagimi emocional nga autori. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse vrasja ishte e planifikuar apo pasojë e një shpërthimi momental.