
Dy autobusë që po tentonin të parakalonin në drejtime të kundërta u përplasën kokë më kokë në njërën prej rrugëve më të ngarkuara të vendit, duke shkaktuar një nga aksidentet më të rënda të viteve të fundit.
Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Ugandën në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke lënë të paktën 63 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Tragjedia ndodhi pas mesnate në autostradën që lidh kryeqytetin Kampala me qytetin verior të Gulu, një nga arteriet më të ngarkuara dhe më të rrezikshme të vendit.
Sipas policisë, dy autobusë që udhëtonin në drejtime të kundërta u përpoqën të parakalonin automjete të tjera, një kamion dhe një SUV, në të njëjtën kohë. “Gjatë manovrës së parakalimit, të dy autobusët u përplasën kokë më kokë,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Ugandës në rrjetin X.
Zëdhënësi i Drejtorisë së Trafikut dhe Sigurisë Rrugore, Michael Kananura, bëri të ditur se një nga shoferët u përpoq të shmangte përplasjen, por kjo shkaktoi një reagim zinxhir, duke përfshirë edhe automjete të tjera që humbën kontrollin dhe u përmbysën disa herë.
Autoritetet konfirmuan se të gjithë pasagjerët e dy autobusëve humbën jetën në vendngjarje. Ndërkohë, disa persona që ndodheshin në SUV janë plagosur rëndë dhe janë dërguar në spitalin e Kiryandongos dhe në qendra të tjera mjekësore pranë zonës.
Trupat e viktimave janë transportuar në morgjet e spitaleve më të afërta për identifikim dhe autopsi. Policia po vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e saktë të drejtuesve dhe rrethanat që çuan në përplasjen fatale.
Autostrada Kampala–Gulu njihet për trafikun e dendur dhe për numrin e lartë të aksidenteve. Sipas statistikave të fundit, aksidentet rrugore në Ugandë janë rritur me rreth 6% gjatë viteve 2023–2024, ndërsa numri i viktimave në rrugë është shtuar me 7%.
Ky aksident, një nga më tragjikët e viteve të fundit, ka ringjallur debatin për mungesën e sigurisë rrugore dhe nevojën për kontrolle më të rrepta mbi transportin publik në vend.