
Një avion i vogël u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti Paramillo në Venezuelë, duke u përplasur në pistë dhe shpërthyer në zjarr përpara dhjetëra dëshmitarëve të tronditur.
Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në Venezuelë, ku një avion i tipit Piper Cheyenne 1 u përmbys dhe shpërtheu në flakë pak sekonda pas ngritjes nga aeroporti Paramillo, në qytetin San Cristobal, në perëndim të vendit. Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e së mërkurës, rreth orës 09:52 me orën lokale, dhe mori jetën e dy personave që ndodheshin në bord.
Sipas autoriteteve të Aviacionit Civil të Venezuelës, aksidenti u mori jetën e dy personave që ndodheshin në bord dhe ata janë identifikuar si piloti me përvojë të gjatë, Jose Antonio Bortone Terife, 50 vjeç, dhe bashkëpiloti Juan Maldonado, 47 vjeç. Pamjet e filmuara nga dëshmitarët tregojnë momentet dramatike kur avioni humbet kontrollin, rrotullohet në ajër dhe përplaset me krah në tokë, duke u shndërruar në një top flakësh.

Një pjesë e dëshmitarëve janë dëgjuar duke bërtitur teksa tentonin të largoheshin nga vendngjarja, ndërsa zjarrfikësit e aeroportit ndërhynë menjëherë për të shuar flakët. Megjithatë, dy anëtarët e ekuipazhit nuk arritën të shpëtonin.
Hetimet paraprake sugjerojnë se shkak mund të ketë qenë një shpërthim gome gjatë ngritjes, por ekspertët e hetimit të aksidenteve po shqyrtojnë edhe mundësinë e një gabimi njerëzor ose defekti teknik në motor.
Instituti Kombëtar i Aviacionit Civil konfirmoi në një deklaratë se është aktivizuar Bordi Hetimor i Aksidenteve për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrëzimit.
Kompania ku punonte piloti Bortone, EC Charter, publikoi një mesazh prekës në rrjete sociale:
“Jose Antonio ishte një profesionist i jashtëzakonshëm, i njohur për përkushtimin, karizmën dhe shpirtin e tij njerëzor. Ai ishte jo vetëm një pilot i talentuar, por edhe një mik dhe baba shembullor. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar.”
Kolegët e tij e përshkruan gjithashtu si “njeri që jetonte për fluturimin”, me mbi 10 mijë orë përvojë dhe një pasion që e kishte trashëguar nga gjyshi dhe xhaxhallarët e tij, të cilët ishin gjithashtu pilotë.
Ndërkohë, për bashkëpilotin Maldonado, kolegia e tij Gloria Santana shkroi:
“Sot humbëm një profesionist dhe mësues të rrallë, një njeri që e adhuronte punën e tij. Qielli fitoi një engjëll, por toka humbi një burrë të madh.”
Pamjet e përhapura në mediat sociale kanë shkaktuar tronditje të madhe në Venezuelë, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar një hetim të plotë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet e aksidentit që tronditi vendin.