
Avioni i Shtetit zbarkon në Milano Linate dhe vijon drejt Romës, familjarët dhe autoritetet presin me nderime viktimat
Trupat e pesë të rinjve italianë që humbën jetën në tragjedinë e Capodanos në Crans-Montana janë kthyer sot në Itali me një avion të Shtetit. Mjeti ushtarak C-130 i Forcave Ajrore italiane ka zbritur në aeroportin ushtarak të Milano Linate, duke sjellë në atdhe trupat e Achille Barosi, Chiara Costanzo, Giovanni Tamburi dhe Emanuele Galeppini.
Në aeroport ishin të pranishëm familjarë të viktimave, miq të afërt dhe përfaqësues institucionalë, ndërsa avionit i janë bashkuar edhe disa nga familjet e të rinjve, të shoqëruara nga personel i mbrojtjes civile, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme dhe një ekip psikologësh.
Pas ndalesës në Milano, avioni ka vijuar fluturimin drejt aeroportit ushtarak të Romës Ciampino, ku pritet të mbërrijë trupi i të riut Riccardo Minghetti. Ndërkohë, trupi i Sofia Prosperi, e cila jetonte në Lugano, nuk do të transportohet në Itali, pasi ceremonitë mortore do të zhvillohen në Zvicër.
Autoritetet italiane kanë qenë të pranishme në pritjen e trupave, ndërsa përfaqësues të lartë shtetërorë kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet për familjet e prekura nga kjo tragjedi e rëndë, që tronditi opinionin publik në ditët e para të vitit të ri.
Ngjarja në Crans-Montana, ku gjashtë të rinj humbën jetën në një zjarr fatal gjatë festimeve të Vitit të Ri, vijon të jetë objekt hetimi nga autoritetet zvicerane, ndërsa kthimi i trupave shënon një moment dhimbjeje dhe zie për familjet dhe komunitetet e tyre në Itali.
