
Hetuesit po verifikojnë pistën e vrasje-vetvrasjes, ndërsa pamjet e kamerave pritet të zbulojnë nëse një person i tretë ka hyrë në shtëpinë pa shenja thyerjeje.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Firencen, ku antiquari i njohur Franco Giorgi, 74 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Gianna Di Nardo, 68 vjeç, janë gjetur të pajetë në banesën e tyre në via Giampaolo Orsini, në zonën Gavinana. Trupat u zbuluan rreth orës 14:30 nga i biri, i cili shkoi t’i kërkonte pasi nuk po u përgjigjeshin në telefon.
Sipas të dhënave paraprake, viktimat janë gjetur midis korridorit dhe sallonit, me plagë të shumta të shkaktuara nga armë e ftohtë. Në fytin e Giorgit janë konstatuar dëmtime të thella të tipit prerës, ndërsa në trupin e bashkëshortes janë identifikuar disa goditje me thikë, përfshirë edhe në zonën e barkut.
Në banesë nuk është konstatuar asnjë shenjë thyerjeje dhe fillimisht nuk rezulton të kenë munguar sende me vlerë, çka e ka shtyrë prokurorinë të marrë në konsideratë pistën e omicidio-suicidio. Megjithatë, hetuesit nuk po përjashtojnë asnjë skenar, përfshirë mundësinë që një person i tretë të ketë hyrë në shtëpi pa lënë gjurmë të dukshme.
Një thikë kuzhine është sekuestruar si prova kryesore, ndërsa laboratorët kriminalistikë do të analizojnë gjurmët në dorezë për të zbuluar nëse u përkasin viktimave apo një personi tjetër. Gjurmë të shumta gjaku janë gjetur në disa ambiente, duke sugjeruar se agresioni ka ndodhur në më shumë se një pikë të banesës.
Sipas burimeve hetimore, Giorgi kishte shfaqur kohët e fundit shenja depresioni, një detaj që po verifikohet në kuadër të pistës së vrasje-vetvrasjes. Ndërkohë, kamerat e sigurisë në zonë pritet të japin informacion kyç mbi lëvizjet e mundshme të një autori tjetër.
Banorët e lagjes janë të shokuar, duke përshkruar çiftin si të qetë, të përkushtuar dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Askush nuk ka dëgjuar britma apo zhurma të pazakonta mbrëmjen e ngjarjes, çka e shton më tej misterin mbi dinamikën e vrasjes së dyfishtë.
Hetimet po vijojnë me intensitet dhe pritet që orët në vijim të mund të sqarojnë skenarin e kësaj ngjarjeje të rëndë.
