
Zjarri gjigant që përfshiu kompleksin Wang Fuk në Tai Po ka shkaktuar bilancin më të rëndë në historinë moderne të Hong Kongut, ndërsa autoritetet hetojnë skelat e bambusë si faktor kyç në përhapjen e flakëve.
Një zjarr i përmasave të jashtëzakonshme ka tronditur Hong Kongun, pasi kompleksi i madh banesor Wang Fuk, me mbi 2.000 apartamente, u përfshi nga flakët të mërkurën në zonën Tai Po, në veri të qytetit. Bilanci i konfirmuar deri tani është dramatik: 128 persona të vdekur, 79 të plagosur, ndërsa rreth 300 banorë rezultojnë ende të zhdukur.
Autoritetet njoftuan se operacionet për shuarjen e zjarrit janë mbyllur, ndërsa ekipe të kërkim-shpëtimit vazhdojnë kontrollin në mbi 1.000 njësi banimi për të gjetur të mbijetuar ose viktima të tjera që mund të ndodhen mes rrënojave. Brenda ndërtesave të shkrumbuara raportohet se ndodhen ende 16 trupa të pajetë, të cilët nuk është arritur ende të nxirren.
Hetimet paraprake tregojnë drejt një skandali të mundshëm inxhinierik. Guan Yeoh, profesor i inxhinierisë dhe ekspert i sigurisë nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor, tha për BBC-në se prezenca e materialeve shumë të ndezshme rreth ndërtesës e kishte kthyer situatën në një “katastrofë të pashmangshme”. Sipas tij, skelat e bambusë dhe rrjetat mbuluese, të vendosura për punimet e rinovimit, mund të kenë përhapur flakët me shpejtësi ekstreme, duke krijuar një “efekt furre”.
Edhe eksperti amerikan i sigurisë së zjarrit, Charles Jennings, theksoi se lartësia dhe dendësia e kompleksit e bënë thuajse të pamundur ndërhyrjen efektive. “Asnjë shërbim zjarrfikës nuk është i pajisur të përballojë një zjarr në të gjithë fasadën e një ndërtese të tillë,” tha ai.
Ndërkohë, mijëra banorë të mbetur pa strehë po strehohen në qendra emergjence, ku autoritetet lokale dhe organizatat humanitare po përpiqen të sigurojnë ushqim, ujë dhe strehim të përkohshëm.
Tragjedia e Wang Fuk Court po konsiderohet si një nga fatkeqësitë më të rënda urbane në historinë e Hong Kongut, ndërsa qyteti përballet me ditë zie dhe kërkon përgjigje për shkaqet e këtij katastrofi që ka lënë pas një gjurmë dhimbjeje dhe pasigurie.
