Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin italian, ku shembja e kullës antike Torre dei Conti u kthye në tragjedi gjatë punimeve restauruese.
Një aksident tragjik ka ndodhur në qendër të Romës, pranë monumentit simbolik të Koloseut, ku një pjesë e kullës historike Torre dei Conti është shembur gjatë procesit të restaurimit. Ngjarja ndodhi të hënën, ndërsa në objekt ndodheshin 11 punëtorë. Njëri prej tyre, 66-vjeçari rumun Octay Stroici, mbeti i bllokuar nën rrënoja për afro 11 orë.
Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të ekipeve të shpëtimit dhe zjarrfikësve, punëtori ndërroi jetë rrugës për në spital, pas plagëve të rënda që kishte pësuar. Tre punëtorë të tjerë, të cilët ndodheshin në skela në momentin e shembjes, u shpëtuan me vështirësi falë ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve.
Kulla Torre dei Conti, e ndërtuar në shekullin XIII nga Papa Innocent III si rezidencë për familjen e tij, është një nga monumentet më të vjetra të mbetura në zemër të Romës. Ajo ka kaluar një histori të gjatë dëmtimesh, duke u prekur rëndë nga tërmeti i vitit 1349 dhe më pas nga shembje të pjesshme në shekullin XVII.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, dhe ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, të cilët shprehën dhimbjen për humbjen e jetës së punëtorit dhe urdhëruan pezullimin e përkohshëm të punimeve derisa të përfundojë hetimi teknik.
Tragjedia ka rihapur debatin në Itali mbi sigurinë e punimeve restauruese në monumentet historike, ku shpesh ndërthuren teknologjitë moderne me strukturat e brishta të shekujve të kaluar.
