
Astrit Hysenaj ishte në detyrë deri paradite, trupi u gjet më vonë në një kanal, hetimet vijojnë
Bashkia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht pas konfirmimit të viktimës së parë nga përmbytjet e ditëve të fundit në Durrës. Bëhet fjalë për Astrit Hysenajn, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, i cili u gjet i pajetë në një kanal kullues.
Në njoftimin e saj, bashkia sqaron se më 6 janar 2026, Hysenaj është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kur është larguar nga ambientet e punës.
Sipas bashkisë, rreth orës 16:00 të së njëjtës ditë, familjarët kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi 54-vjeçari nuk ishte kthyer në banesë. Përgjegjësi i ka bërë me dije se punonjësi ishte larguar nga puna në orën 10:30.
Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit, e cila ka nisur kërkimet. Trupi i pajetë i Astrit Hysenajt u gjet më vonë në një kanal në zonën e Durrësit, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Bashkia shpreh keqardhje për humbjen e jetës së punonjësit dhe thekson se është në bashkëpunim me organet ligjzbatuese për sqarimin e plotë të rastit, në një kohë kur situata e përmbytjeve mbetet problematike në disa zona të qytetit.
