
Një 18-vjeçare humbi jetën te Ura e Dajlanit, shoferi dhe dy këmbësorë mbetën të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një vajze 18-vjeçare ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Durrës, në zonën e njohur si Ura e Dajlanit, pasi një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e përplasjes fatale, përveç humbjes së jetës së pasagjeres së re, janë plagosur edhe drejtuesi i mjetit, një 26-vjeçar nga Fieri, si dhe dy këmbësorë që ndodheshin pranë zonës së aksidentit në momentin e ngjarjes. Të lënduarit janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Sipas raportimeve nga terreni, paraprakisht dyshohet se automjeti po lëvizte me shpejtësi jashtëzakonisht të lartë, deri në rreth 300 kilometra në orë, çka ka bërë të pamundur kontrollin e mjetit nga ana e drejtuesit dhe ka çuar në daljen nga rruga.
Nga njoftimi zyrtar i policisë bëhet me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:15 të datës 15 janar 2026, në lagjen nr. 4 të qytetit. Pas rënies nga ura, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën në vend, ndërsa shoferi dhe dy këmbësorë, të moshës 33 dhe 35 vjeç, kanë mbetur të plagosur.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po kryen veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, ndërsa pritet edhe ekspertiza teknike për të përcaktuar shpejtësinë reale të automjetit në momentin e ngjarjes.
