Trupi i një fëmije të vogël është gjetur i varrosur në një varr të cekët në oborrin e një shtëpie nga policia që po hetonte një zhdukje. Zbulimi i tmerrshëm i djalit 18-muajsh u bë në një banesë në Brookfield, në veriperëndimin e jashtëm të Melburnit. Policisë iu deshën rreth gjashtë orë për të gjetur atë që kërkonin, pasi filluan gërmimet të hënën.
Fëmija ishte varrosur në një varr vetëm 50 cm të thellë dhe është e mundur që eshtrat e tij të kenë qenë aty për më shumë se një dekadë. Siç raportojnë mediat e huaja, ai kishte jetuar në atë shtëpi me prindërit dhe dy vëllezërit e motrat e tij në vitin 2014, para se të ktheheshin jashtë vendit, ndoshta në Shqipëri. Ai nuk ishte raportuar i zhdukur në atë kohë. Pronari aktual i shtëpisë u takua me policinë, e cila i shpjegoi se dyshohej që një trup ishte varrosur vetëm disa metra larg derës së pasme.
“Diçka e tillë nuk duhet të ndodhë, por ka ndodhur 14 vjet më parë. Diçka shumë e keqe. Shumë e tmerrshme”, tha ai për 7News.
Policia e Viktorias theksoi se banorët aktualë nuk kanë asnjë njohuri apo lidhje me hetimin ose me personat që kanë jetuar më parë në atë pronë. Ndërkjohë mbetjet ende nuk janë identifikuar zyrtarisht.
“Koroneri është njoftuar dhe një autopsi do të kryhet në kohën e duhur. Njësia për Personat e Zhdukur do të marrë drejtimin e hetimit, i cili mbetet në vazhdim,” njoftoi Policia e Viktorias.
Duket se policia është sinjalizuar nga një i afërm i fëmijës, i cili nuk ka mundur ta mbajë më sekretin. Nuk është ende e qartë nëse autoritetet australiane janë vënë në kontakt me autoritetet shqiptare, por Australia ka një traktat ekstradimi me vendin ballkanik.
