Bazuar në marrëveshjen bilaterale të bashkëpunimit midis Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), pilotët e të dy forcave zhvilluan një trajnim të përbashkët, me fokus rritjen e gatishmërisë operacionale.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau në rrjetet sociale pamje nga aktiviteti i pilotëve gjatë trajnimit.
Kapiten Atdhe Hasani u shpreh se: “Jemi këtu për të realizuar programin për fluturime me helikopterin Cougar, i paraparë në marrëveshjen bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.”
Ai shtoi se: “Ky trajnim na mundëson të shkëmbejmë përvoja gjatë fluturimeve me helikopter Cougar dhe të mësojmë si të veprojmë në raste emergjencash dhe operacionesh të ndryshme.”
Trajnimi i përbashkët synon forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e kapaciteteve operacionale të pilotëve të të dy vendeve.
