
Gjatë një interviste në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan u shfaq në rolin e “figurës atërore”, duke dhuruar këpucë për zëvendëspresidentin dhe sekretarin e Shtetit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka bërë sërish bujë mediatike pas një interviste të gjatë me gazetën The New York Times, ku u zbulua se ai u ka blerë këpucë zëvendëspresidentit JD Vance dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio, duke i quajtur të dy me humor “fëmijë”.
Sipas raportimit, gjatë intervistës së zhvilluar më 7 janar në Zyrën Ovale, Tramp kaloi mbi dy orë duke diskutuar tema të ndryshme politike, personale dhe simbolike, ndërsa ndaj bashkëpunëtorëve të tij u shfaq me një ton pothuajse atëror. Vance dhe Rubio, të cilët ndodheshin të pranishëm, mbanin veshur këpucët që Tramp kishte blerë për ta, moment që presidenti e shoqëroi me batutën se ata ishin “kids”.
Më herët, JD Vance kishte treguar se gjatë një feste fundviti, Tramp u kishte premtuar atij dhe Rubios se do t’u blinte nga katër palë këpucë secilit, madje u kishte kërkuar edhe masat përkatëse. Dhurata u interpretua nga media amerikane si një gjest simbolik, që synonte të forconte imazhin e Trampit si lider dominues dhe mentor politik për figurat kryesore të administratës së tij.
Gjatë intervistës, Tramp u përpoq gjithashtu të rrëzonte dyshimet mbi moshën dhe shëndetin e tij, duke deklaruar se ndihet po aq energjik sa 40 vite më parë. Ai foli për përvojën e tij në biznesin e pasurive të paluajtshme, duke theksuar se ndoshta ka qenë edhe më i suksesshëm në real estate sesa në politikë.
Presidenti nuk la pa përmendur as zhgënjimin e tij të vjetër për Çmimin Nobel për Paqen, duke u shprehur se ka kontribuar në përfundimin e disa konflikteve ndërkombëtare, por pa marrë vlerësimin që, sipas tij, i takon.
Intervista dhe gjestet simbolike të Trampit kanë nxitur komente të shumta në mediat amerikane, mes atyre që e shohin këtë si një shfaqje autoriteti dhe atyre që e interpretojnë si një përpjekje për të ndërtuar një imazh paternalist brenda administratës së tij.
