
Nisma ndërkombëtare u prezantua në Davos dhe synon arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë për paqen dhe rindërtimin në Gaza, në bashkëpunim me OKB-në
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka prezantuar zyrtarisht Bordin e Paqes dhe ka firmosur Kartën themeluese së bashku me disa liderë botërorë, me fokus të drejtpërdrejtë situatën në Gaza.
Ceremonia e inaugurimit dhe nënshkrimit u zhvillua gjatë punimeve të Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku Tramp e paraqiti këtë bord si një mekanizëm të ri diplomatik për ndërmjetësim, ndikim dhe vendimmarrje në konflikte të ndërlikuara ndërkombëtare.
Sipas Tramp, sapo Bordi i Paqes të jetë plotësisht funksional, ai do të ketë kapacitet të gjerë veprimi në koordinim me Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke synuar zgjidhje konkrete dhe afatgjata. Ai theksoi se bordi është konceptuar për të vepruar përpara krizave dhe jo vetëm për t’i menaxhuar ato pasi shpërthejnë.
Ekspertë të politikës së jashtme e kanë cilësuar këtë iniciativë si një qasje strategjike që synon të pozicionojë SHBA-në në një rol udhëheqës në arkitekturën e re të sigurisë globale, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Bordi i Paqes për Gazën shihet si testi i parë real i kësaj strukture, ndërsa pritet që në javët në vijim të qartësohen vendet pjesëmarrëse, kompetencat konkrete dhe roli që do të luajë secili aktor ndërkombëtar në këtë proces.
