Pas përplasjeve të verës, Donald Tramp dhe Elon Mask duket se kanë zbutur tonet, duke shënuar një rikthim të marrëdhënieve të tyre pas muajsh tensionesh publike
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka konfirmuar se marrëdhëniet e tij me Elon Mask janë përmirësuar ndjeshëm, duke thënë se të dy janë në kontakt dhe kanë folur disa herë që pas takimit në funeralin e aktivistit amerikan Charlie Kirk, zhvilluar muajin e kaluar në Arizona.
Gjatë udhëtimit të tij drejt Japonisë, Tramp u shpreh për gazetarët se e vlerëson Maskun dhe se gjithmonë ka pasur simpati për të, pavarësisht përplasjeve të kaluara mes tyre.
“E kam pëlqyer gjithmonë Elonin. Ka kaluar një periudhë të vështirë, por mendoj se gjithmonë do ta respektoj për atë që përfaqëson,” tha Tramp, duke nënvizuar se komunikimi mes tyre është shumë më i mirë se më parë.
Deklaratat e presidentit shënojnë fundin e një periudhe tensionesh që zgjati disa muaj, gjatë së cilës Tramp dhe Mask kishin shkëmbyer akuza publike dhe kërcënime politike. Përplasjet nisën kur pronari i platformës X la të hapur mundësinë e mbështetjes së një partie të re politike, me emrin “America Party”, e cila do të konkurronte kundër republikanëve.
Në atë kohë, Tramp kishte reaguar me tone të ashpra, duke e paralajmëruar Maskun për pasoja serioze nëse ai do të vijonte me këto plane. Por duket se tensionet kanë kaluar, ndërsa dy figurat e fuqishme të politikës dhe teknologjisë amerikane kanë vendosur të rifillojnë bashkëpunimin.
Rikthimi i marrëdhënies mes Tramp dhe Mask shihet si një sinjal i rëndësishëm politik në prag të zgjedhjeve presidenciale, ku ndikimi i Mask në opinionin publik dhe në industrinë teknologjike pritet të luajë një rol të ndjeshëm në fushatën amerikane të vitit 2026.
