
Në një ceremoni të pazakontë në Sharm El-Sheikh, Donald Tramp shpalli fundin e luftës dyvjeçare Izrael-Hamas, duke e cilësuar marrëveshjen si një pikë kthese për njerëzimin.
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar marrëveshjen historike të paqes mes Izraelit dhe Hamasit, në një ceremoni të zhvilluar në Sharm El-Sheikh, Egjipt, pas lirimit të pengjeve të fundit izraelite në Gaza.
I rrethuar nga udhëheqës të botës arabe dhe evropiane, përfshirë presidentin palestinez Mahmoud Abbas, kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, Trump deklaroi:
“U deshën 3 mijë vjet që të arrinim këtu. A e besoni dot? Dhe kjo marrëveshje do të qëndrojë. Do të qëndrojë,” – tha ai teksa vendoste firmën mbi dokumentin, përmbajtja e të cilit nuk është bërë ende publike.
Në ceremoni munguan si përfaqësuesit e Hamasit, ashtu edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e refuzoi ftesën duke përmendur një festë hebraike.
Trump e përshkroi momentin si fundin e një epoke gjaku dhe fillimin e një kapitulli të ri për rajonin.
“Kjo është dita për të cilën njerëzit në këtë rajon dhe në gjithë botën kanë punuar, kanë shpresuar dhe janë lutur,” – shtoi ai.
“Sot, lutjet e miliona njerëzve më në fund janë dëgjuar.”
Ceremonia e nënshkrimit shënon zyrtarisht fundin e konfliktit dyvjeçar që ka marrë mijëra jetë në Gaza dhe Izrael, duke hapur një rrugë të re drejt paqes dhe bashkëpunimit në Lindjen e Mesme.