
Presidenti amerikan rrit presionin ndaj Evropës në Davos, paralajmëron tarifa shkatërruese dhe sfidon hapur Danimarkën, BE-në dhe aleatët transatlantikë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka përshkallëzuar ndjeshëm retorikën dhe presionin politik për marrjen nën kontroll të Grenlandës, duke deklaruar se Europa nuk do të rezistojë gjatë dhe se SHBA-ja është e gatshme të shkojë shumë larg për interesat e saj strategjike.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pak para nisjes për në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Tramp u shpreh se Grenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare dhe globale, duke paralajmëruar se veprimet e tij nuk do të ndalen nga kundërshtimet europiane. Ai njoftoi gjithashtu zhvillimin e një takimi të veçantë në Davos me palët e përfshira, duke sinjalizuar një fazë të re presioni diplomatik.
Deklaratat e Tramp kanë shkaktuar reagime të forta në Evropë. Presidenti francez Emanuel Makron, nga tribuna e Davosit, u shpreh se Evropa zgjedh shtetin e së drejtës përballë brutalitetit dhe respektin përballë forcës, duke e cilësuar të papranueshme diplomacinë e bazuar në kërcënime dhe tarifa ndëshkuese. Në të njëjtën kohë, Tramp kërcënoi Francën me tarifa deri në 200 për qind për verërat dhe shampanjën, një veprim që rrezikon të ringjallë një luftë të re tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian.
Tensioni u reflektua edhe në institucionet europiane, ku Parlamenti Europian vendosi të ngrijë ratifikimin e marrëveshjes tregtare BE-SHBA, e cila ishte arritur gjatë verës së kaluar. Vendimi u justifikua si reagim ndaj kërcënimeve amerikane dhe përdorimit të tarifave si mjet presioni politik.
Nga ana tjetër, kryeministri i Grenlandës paralajmëroi se, ndonëse përdorimi i forcës ushtarake konsiderohet pak i mundshëm, ai nuk mund të përjashtohet plotësisht. Autoritetet vendase kanë nisur përgatitje për të gjitha skenarët e mundshëm, ndërsa kanë intensifikuar komunikimin me BE-në, NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë.
Edhe Danimarka dhe Kanadaja dolën hapur në mbështetje të Grenlandës, duke theksuar të drejtën e saj për të vendosur vetë për të ardhmen. Udhëheqësit europianë kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për aneksim ose presion ekonomik do të marrë përgjigje të koordinuar.
Ndërkohë, Donald Tramp vazhdon të publikojë imazhe provokuese në rrjetet sociale, përfshirë materiale të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që paraqesin Grenlandën si territor amerikan, duke ndezur edhe më tej reagimet dhe shqetësimet ndërkombëtare.
Kriza rreth Grenlandës po shndërrohet në një nga përplasjet më serioze mes SHBA-së dhe Europës në dekada, me rrezikun real që diplomacia e forcës dhe tarifave të minojë themelet e marrëdhënieve transatlantike.
