
FIFA krijon një çmim të ri posaçërisht për presidentin amerikan, që u nderua mes liderëve të Kanadasë dhe Meksikës në skenën e Kennedy Center.
Donald Tramp u përzgjodh si fituesi i parë i Çmimit të Paqes nga FIFA, gjatë ceremonisë së shortit të Kupës së Botës 2026 në Washington. Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, i dorëzoi Trampit medaljen dhe trofeun e veçantë, një vlerësim i ri i krijuar për individë që sipas organizatës kontribuojnë në paqe dhe bashkim global.
Trump ishte i ftuari i nderit në eventin ku u prezantua shorti i turneut që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Infantino e quajti këtë çmim një vlerësim për angazhimin e Trampit në ndërmjetësimin e marrëveshjeve paqësore, duke përmendur edhe përpjekjet e tij për të shmangur konflikte në vende si Kongo, Indi e Pakistan.
Ceremonia mblodhi personalitete të shumta të sportit dhe showbizit. Moderatorë ishin Heidi Klum dhe Kevin Hart, ndërsa në skenë u ngjitën edhe emra të mëdhenj të sportit si Tom Brady, Shaquille O’Neal dhe Wayne Gretzky. Në skenë performuan gjithashtu Andrea Bocelli dhe grupi Village People.
Megjithatë, marrëdhënia e ngushtë mes Tramp dhe Infantinos ka ngjallur edhe kritika, pasi FIFA ka pagesa të konsiderueshme ndaj administratës amerikane për përdorimin e Kennedy Center, ndërkohë që organizata është ende nën kujtesën e skandaleve të mëparshme të korrupsionit.
Tramp e quajti momentin një nga nderimet më të mëdha në jetën e tij, duke theksuar se misioni i tij është “të shpëtojë jetë” dhe të ruajë rolin global të SHBA.
