
Presidenti amerikan thotë se Patel po bën një punë të mirë, ndërsa raportimet për zëvendësimin e tij qarkullojnë në media dhe ish-zyrtarë të FBI ngritin padi për politizim të institucionit.
Presidenti amerikan Donald Tramp ka mohuar raportimet se po shqyrton shkarkimin e drejtorit të FBI, Kash Patel, pasi agjencia federale përballet me kritika të vazhdueshme dhe polemika në rritje. Gjatë një deklarate për gazetarët në bord të Air Force One, Tramp është shprehur se Patel po e kryen detyrën mirë dhe se nuk ka plane për ta zëvendësuar.
Deklarata e tij erdhi pak orë pasi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cilësoi raportimin për shkarkim si të pavërtetë, duke theksuar se Patel ishte i pranishëm në një takim zyrtar me presidentin dhe ekipin e sigurisë.
Raportimet për një lëvizje të mundshme nisën nga MSNOW, që pretendonte se Patel mund të zëvendësohej nga zyrtari i lartë i FBI-së Andrew Bailey, i cili u emërua bashkë-deputy drejtor në shtator.
Ndërkohë, drejtimi i Patel në FBI po shoqërohet me kritika dhe polemika të shumta. Në shtator, FBI u kritikua për vonesën në gjetjen e autorit të vrasjes së aktivistit të djathtë Charlie Kirk në universitetin e Utah Valley. Patel njoftoi në rrjetet sociale se një i dyshuar ishte arrestuar, por autoritetet lokale më pas sqaruan se personi i ndaluar ishte liruar pasi nuk kishte prova.
Gjithashtu, tre ish-zyrtarë të FBI-së kanë ngritur një padi federale ku akuzojnë Patel për politizim të institucionit dhe përpjekje për largimin e drejtuesve që, sipas tyre, kishin punuar në hetime të mëparshme që preknin presidentin Trump ose nuk pranonin të përfshiheshin në masa hakmarrëse.
Patel është kritikuar edhe për përdorimin e një avioni qeveritar dhe resurseve të sigurisë për mbrojtjen e të dashurës së tij, Alexis Wilkins, për të cilën FBI pretendon se kishte marrë qindra kërcënime serioze.
Ndërsa raportimet vazhdojnë, Tramp e ka bërë të qartë se nuk e sheh shkarkimin e Patel si opsion, duke e cilësuar drejtimin e tij në FBI të kënaqshëm.
