
Pesë figura të mëdha të artit dhe kulturës amerikane u nderuan në një ceremoni të veçantë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa presidenti prezantoi dizajnin e ri të medaljeve.
Presidenti Donald Tramp organizoi mbrëmjen e së shtunës një ceremoni në Zyrën Ovale ku u dorëzoi medalje pesë personaliteteve që përbëjnë klasën 2025 të Kennedy Center Honors. Të nderuarit e këtij viti janë aktori Sylvester Stallone, këngëtarja Gloria Gaynor, country artisti George Strait, grupi rock Kiss dhe aktori-këngëtar Michael Crawford.
Tramp vlerësoi kontributin e tyre në art dhe kulturë, duke i quajtur “ikona që kanë frymëzuar dhe bashkuar miliona amerikanë”. Ceremonia shënoi edhe një ndryshim simbolik, nën drejtimin e Tramp, çmimi u shndërrua në një medalje të dizajnuar nga Tiffany & Co., duke zëvendësuar varësen shumëngjyrëshe tradicionale.
Në fjalën e tij, presidenti theksoi rinovimet në Kennedy Center, përfshirë restaurimin e fasadës së mermerit dhe përditësimin e hapësirave të brendshme, si pjesë e planeve të tij për ta rikthyer qendrën “në standardin më të lartë kulturor”.
Tramp shfrytëzoi momentin edhe për të thumbuar moderatorin Jimmy Kimmel, duke paralajmëruar me ironi prezantimin e tij në programin e Kennedy Center Honors që mbahet të dielën. Kjo është hera e parë që një president amerikan e drejton eventin historik.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi Tramp mori çmimin e paqes nga FIFA në ceremoninë e shortit të Kupës së Botës 2026, një javë plot skenë, simbolikë dhe mesazhe politike për presidentin amerikan.
