Pas pesë ditësh lufte të përgjakshme në korrik, Tajlanda dhe Kamboxhia nënshkruajnë një marrëveshje të zgjeruar paqeje në prani të presidentit amerikan Donald Tramp, gjatë samitit në Kuala Lumpur.
Një marrëveshje e re armëpushimi mes Tajlandës dhe Kamboxhias është nënshkruar të dielën në Kuala Lumpur, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, dhe kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim, mikpritës i samitit të ASEAN. Ceremonia e nënshkrimit vjen pas një konflikti pesëditor përgjatë kufirit mes dy vendeve që në korrik shkaktoi dhjetëra viktima dhe zhvendosi qindra mijëra banorë.
Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul dhe homologu i tij kamboxhian Hun Manet firmosën marrëveshjen që zgjeron kushtet e armëpushimit të arritur më parë, duke e konsideruar këtë moment si një ditë historike për paqen në Azinë Juglindore.
Trump, i cili bashkë-nënshkroi dokumentin, deklaroi se është bërë diçka që shumë mendonin se nuk mund të ndodhte, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin plotësisht zbatimin e marrëveshjes.
Faza e parë e saj parashikon lirimin e 18 ushtarëve kamboxhianë nga burgjet tajlandeze dhe tërheqjen e artilerisë së rëndë nga zonat kufitare. Trupat malajziane do të vendosen përgjatë vijës 800 kilometra të kufirit për të monitoruar zbatimin e paqes.
Trump gjithashtu nënshkroi dy marrëveshje të tjera ekonomike, një për tregti reciproke me Phnom Penh dhe një tjetër për bashkëpunim në mineralet kritike me Bangkokun. Kryeministri Anwar Ibrahim përgëzoi palët duke thënë se pajtimi nuk është dorëzim, por akt guximi.
Konflikti kufitar midis Tajlandës dhe Kamboxhias ka qenë burim tensioni për dekada, sidomos rreth zonave pranë tempujve historikë të Preah Vihear, të kontestuar nga të dyja palët. Megjithëse marrëveshja e re shihet si një hap i madh drejt stabilitetit, analistët paralajmërojnë se zbatimi praktik i saj do të jetë vendimtar.
Raportet nga provinca kufitare Sa Kaeo tregojnë se shumë banorë mbeten të kujdesshëm, ndërsa ushtria tajlandeze vazhdon të çminojë zonat e mbetura dhe fshatrat lokale ndërtojnë strehimore të reja kundër bombardimeve, një shenjë se frika e luftës ende nuk është shuar plotësisht.
