
Pas 43 ditësh bllokim, presidenti amerikan konfirmon fundin e krizës financiare që la pa paga mbi një milion punonjës federalë dhe paralizoi shërbimet publike.
Presidenti amerikan Donald Tramp ka nënshkruar projektligjin që i jep fund mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e Shteteve të Bashkuara, duke hapur rrugën për rifillimin e plotë të funksionimit të institucioneve federale.
Ligji u miratua fillimisht në Senat me një diferencë të ngushtë votash, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve e kaloi vetëm disa orë më vonë. Trump e nënshkroi menjëherë pas miratimit, duke e kthyer projektligjin në ligj të plotfuqishëm.
Duke folur nga Zyra Ovale, ai deklaroi se qeveria do të rifillojë menjëherë punën e saj pas një periudhe që ai e përshkroi si “shumë të dhimbshme për miliona amerikanë”. “Shumë njerëz u lënduan nga kjo mbyllje e gjatë, por tani do të kthehemi në normalitet,” tha presidenti.
Mbyllja e qeverisë, e cila zgjati plot 43 ditë, kishte ndaluar shumicën e shërbimeve federale që nga muaji tetor. Rreth 1.4 milion punonjës publikë ishin dërguar në leje pa pagesë ose po punonin pa u paguar, ndërsa ndihma ushqimore dhe udhëtimet ajrore u ndërprenë në të gjithë vendin.
Ky vendim pritet të rikthejë funksionimin normal të agjencive federale dhe të lehtësojë presionin ekonomik mbi mijëra familje amerikane që u prekën drejtpërdrejt nga bllokimi.
