
Presidenti amerikan thotë se vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta mbrojnë Groenlandën dhe lë të hapur përdorimin e forcës nëse Kopenhaga refuzon negociatat
Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku e cilësoi Danimarkën si mosmirënjohëse dhe përsëriti pretendimin se Groenlanda duhet t’i kalojë Shteteve të Bashkuara.
Tramp argumentoi se SHBA-të ishin vendimtare në mbrojtjen e Groenlandës gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi Danimarka ishte pushtuar nga nazistët. Sipas tij, Amerika e mbajti ishullin nën kontroll me kosto të lartë ushtarake dhe më pas e riktheu territorin nën sovranitetin danez, një vendim që ai e quajti sot të gabuar.
Në një sallë të heshtur përballë liderëve botërorë, Tramp deklaroi se pa Shtetet e Bashkuara, Europa do të kishte përfunduar nën sundimin gjerman dhe japonez, duke theksuar se Amerika fitoi Luftën e Dytë Botërore dhe siguroi stabilitetin global. Ai shtoi se sot asnjë vend tjetër nuk ka kapacitetin real për të mbrojtur Groenlandën, përveç SHBA-ve.
Presidenti amerikan paralajmëroi se nëse Danimarka vazhdon të refuzojë dorëzimin e territorit, Uashingtoni nuk do ta harrojë këtë qëndrim. Ai la të kuptohet se përdorimi i forcës ushtarake mbetet një opsion, edhe pse tha se nuk dëshiron ta përdorë atë në këtë fazë.
Tramp e cilësoi Groenlandën si territor strategjik për sigurinë globale dhe për interesat amerikane, duke e paraqitur çështjen si një kërkesë legjitime të SHBA-ve. Deklaratat e tij kanë shtuar tensionet me aleatët europianë dhe kanë nxitur reagime të ashpra nga Danimarka dhe vende të tjera të NATO-s.
Në të njëjtin fjalim, Tramp kritikoi politikat energjetike të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Europës, duke fajësuar përdorimin e turbinave të erës për rritjen e çmimeve të energjisë dhe për dobësimin ekonomik të vendeve europiane.
