
Presidenti amerikan i shkruan Al-Sisit dhe shpreh gatishmërinë e SHBA për të rifilluar ndërmjetësimin mbi ndarjen e ujërave të Nilit mes Egjiptit, Sudanit dhe Etiopisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka ofruar zyrtarisht një tjetër ndërmjetësim ndërkombëtar, këtë herë mes Egjiptit dhe Etiopisë, për zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar mbi ndarjen e ujërave të lumit Nil. Lajmi është konfirmuar nga vetë Trump përmes një postimi në platformën Truth Social, ku ai publikoi letrën që i kishte dërguar presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi.
Në letrën e tij, Tramp thekson se është i gatshëm të rifillojë ndërmjetësimin amerikan për të zgjidhur përfundimisht çështjen e ndarjes së ujërave të Nilit, duke e cilësuar këtë nismë si pjesë të angazhimit të SHBA për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ai i referohet gjithashtu marrëdhënies personale me presidentin egjiptian dhe rëndësisë jetike që lumi Nil ka për popullin e Egjiptit.
Në mesazhin drejtuar Al-Sisit, Tramp shkruan se ekipi i tij e kupton thellësisht domethënien strategjike, historike dhe jetësore të Nilit për Egjiptin dhe se synimi i SHBA është të ndihmojë në arritjen e një zgjidhjeje që garanton nevojat për ujë të Egjiptit, Sudanit dhe Etiopisë për shumë dekada në të ardhmen. Ai thekson se asnjë shtet në rajon nuk duhet të ketë kontroll të njëanshëm mbi burimet jetike të Nilit, duke cenuar interesat e vendeve fqinje.
Tramp e bëri publik këtë qëndrim duke postuar letrën në Truth Social, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të luajnë sërish rolin e ndërmjetësit për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve në Afrikën Verilindore. Ai ka deklaruar më herët se ndërmjetësimet e tij në konflikte të ndryshme ndërkombëtare janë arsye pse ai e konsideron veten të denjë për Çmimin Nobel për Paqen.
Konflikti mes Egjiptit dhe Etiopisë lidhet kryesisht me ndërtimin dhe menaxhimin e digave të mëdha në pjesën e sipërme të rrjedhës së Nilit, në veçanti Digën e Rilindjes Etiopiane, e njohur si Grand Ethiopian Renaissance Dam. Egjipti argumenton se kjo digë përbën një kërcënim serioz për bujqësinë, furnizimin me ujë të pijshëm dhe stabilitetin ekonomik të vendit, duke qenë se mbi 90 për qind e nevojave të tij për ujë varen nga Nili.
Nga ana tjetër, Etiopia, me një popullsi mbi 120 milionë banorë, e konsideron digën thelbësore për zhvillimin e saj ekonomik dhe prodhimin e energjisë elektrike, duke këmbëngulur se projekti nuk do të dëmtojë vendet fqinje. Megjithatë, Egjipti pretendon se ndërtimi dhe mbushja e digës shkel traktatet ndërkombëtare ekzistuese dhe mund të çojë si në thatësira ashtu edhe në përmbytje.
Edhe Sudani, i cili ndodhet midis Etiopisë dhe Egjiptit përgjatë rrjedhës së Nilit, ka shprehur shqetësime lidhur me sigurinë strukturore të digës dhe pasojat e mundshme për territorin e tij.
Oferta e re e Tramp për ndërmjetësim vjen në një moment kur negociatat mes palëve kanë mbetur të bllokuara dhe tensionet diplomatike mbeten të larta. Nëse pranohet, roli i SHBA mund të rikthejë në tryezë një proces negociues që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë për një nga burimet ujore më të rëndësishme në botë.
