
Shefi i Shtabit të Përbashkët zbulon se operacioni për kapjen e Maduro-s u përgatit për muaj të tërë dhe përfshiu mbi 150 avionë ushtarakë
Presidenti amerikan Donald Tramp e ka cilësuar operacionin ushtarak të kryer në Venezuelë si një nga demonstrimet më të fuqishme të forcës së Shteteve të Bashkuara ndonjëherë. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, Tramp deklaroi se ushtria amerikane realizoi diçka që, sipas tij, asnjë vend tjetër në botë nuk do të ishte në gjendje ta bënte.
Tramp theksoi se ndërhyrja ushtarake në Karakas dhe operacioni për kapjen e presidentit venezuelan Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij u kryen me sukses të plotë, pa humbje në radhët e forcave amerikane dhe pa dëmtim të pajisjeve ushtarake. Ai shtoi se SHBA ishte e përgatitur edhe për një valë të dytë sulmesh, por sipas tij, kjo nuk ishte e nevojshme.
Në të njëjtën konferencë, ku ishin të pranishëm edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, kreu i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, Dan Caine, dha detaje mbi përmasat e operacionit. Ai deklaroi se misioni ishte përgatitur për muaj të tërë, me planifikim dhe stërvitje intensive, dhe përfshiu më shumë se 150 avionë ushtarakë që u angazhuan në të gjithë hemisferën perëndimore.
Sipas Caine, operacioni ishte jashtëzakonisht kompleks dhe u mbështet në përvojën shumëvjeçare të ushtrisë amerikane në luftën kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azinë Jugperëndimore. Ai zbuloi se një nga avionët u godit gjatë misionit, por arriti të kthehej i sigurt, ndërsa të gjitha forcat u larguan nga zona deri në orët e para të mëngjesit.
Gjenerali shtoi se Maduro dhe bashkëshortja e tij u dorëzuan pa rezistencë serioze dhe u vunë në pranga me ndihmën e forcave amerikane, duke u dorëzuar më pas autoriteteve të drejtësisë amerikane.
Në fund, Tramp deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin përsipër administrimin e përkohshëm të Venezuelës deri në realizimin e një tranzicioni të sigurt dhe të kontrolluar, duke theksuar se qëllimi përfundimtar është vendosja e stabilitetit dhe rendit në vend.
