
Presidenti amerikan shpall përbërjen e plotë të Bordit të Paqes për Gazën, me rol qendror për Tony Blair dhe drejtim amerikan të sigurisë dhe rindërtimit pas luftës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka bërë publik të premten, më 16 janar, përbërjen e plotë të asaj që ai e quan Bordi i Paqes për Gazën, një strukturë e re që synon të mbikëqyrë qeverisjen, sigurinë dhe rindërtimin e territorit palestinez pas më shumë se dy vitesh bombardimesh shkatërruese izraelite. Përbërja e bordit tregon qartë se Uashingtoni synon të marrë rolin udhëheqës në fazën e pasluftës, me shumicën e anëtarëve që janë amerikanë ose aleatë shumë të afërt të Tramp.
Në krye të këtij bordi do të jetë vetë Donald Tramp, i cili ka vendosur veten si figurën qendrore të procesit. Një nga emërimet më të spikatura është ai i ish-kryeministrit britanik Tony Blair, të cilit i është dhënë një rol kyç në qeverisjen e Gazës pas luftës. Blair është i vetmi anëtar themelues i bordit ekzekutiv që nuk është shtetas amerikan, fakt që e bën përfshirjen e tij edhe më të debatueshme.
Tramp ka pranuar se emërimi i Blair është i ndjeshëm, pasi ai mbetet një figurë thellësisht përçarëse në Lindjen e Mesme për shkak të rolit të tij në pushtimin e Irakut në vitin 2003. Megjithatë, presidenti amerikan ka deklaruar se ka dashur të sigurohet që Blair të jetë një zgjedhje e pranueshme për të gjithë aktorët kryesorë. Pas largimit nga detyra në vitin 2007, Blair kaloi vite të tëra duke u marrë me diplomacinë izraelito-palestineze si përfaqësues i Kuartetit, çka Tramp e sheh si përvojë të vlefshme për fazën e re në Gazë.
Përkrah Blair, në Bord janë përfshirë disa nga njerëzit më të besuar të Trump. Mes tyre është dhëndri i tij, Jared Kushner, i cili ka pasur rol kyç në negociatat e politikës së jashtme gjatë administratës Tramp. Kushner ka marrë pjesë në takimin e parë të komitetit teknokratik palestinez për Gazën në Kajro dhe ka punuar ngushtë me Steve Witkoff si për çështjen e Gazës ashtu edhe për dosje të tjera ndërkombëtare. Ai është takuar edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar pikat më të ndjeshme të marrëveshjes së paqes, megjithëse deklaratat e tij të mëparshme, ku e ka quajtur bregdetin e Gazës pronë të vlefshme buzë detit, kanë ngjallur reagime të forta.
Një tjetër figurë kyçe është Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili pritet të ankorojë politikisht bordin. Para rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, Rubio ishte hapur kundër një armëpushimi në Gazë dhe mbështeste shkatërrimin e Hamasit nga Izraeli. Pas armëpushimit të tetorit, toni i tij ka ndryshuar, duke e quajtur marrëveshjen opsionin e vetëm realisht të zbatueshëm.
Në bord bën pjesë edhe Steve Witkoff, një miliarder i pasurive të paluajtshme dhe partner biznesi prej kohësh i Tramp, i kthyer tashmë në negociator diplomatik. Witkoff njoftoi më herët këtë muaj fazën e dytë të planit për Gazën, duke kaluar nga zbatimi i armëpushimit te rindërtimi dhe çarmatimi i Hamasit. Ai ka paralajmëruar se dështimi për të respektuar kushtet e planit do të sjellë pasoja serioze.
Pjesë e Bordit të Paqes është edhe presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, i cili pritet të fokusohet te financimi, investimet dhe rindërtimi në shkallë të gjerë. Në listë përfshihen gjithashtu financieri Marc Rowan dhe këshilltari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Robert Gabriel, i cili ka punuar me Tramp që nga fushata e vitit 2016.
Në frontin e sigurisë, Tramp ka emëruar gjeneralmajorin amerikan Jasper Jeffers për të drejtuar një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi. Kjo forcë do të ketë për detyrë sigurimin e Gazës dhe trajnimin e një force të re policore që synon të zëvendësojë Hamasin. Jeffers ka mbikëqyrur më herët monitorimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit, duke e bërë atë një figurë kyçe në arkitekturën e re të sigurisë.
Paralelisht me Bordin e Paqes, Tramp ka krijuar edhe një bord këshillimor të veçantë, ku përfshihen:
Tony Blair,
Steve Witkoff,
Nickolay Mladenov,
Hakan Fidan, si dhe përfaqësues nga Egjipti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe OKB. Sipas Shtëpisë së Bardhë, këto struktura do të fokusohen në ndërtimin e kapaciteteve qeverisëse, marrëdhëniet rajonale, rindërtimin, tërheqjen e investimeve, financimin në shkallë të gjerë dhe mobilizimin e kapitalit.
Shpallja e përbërjes së Bordit të Paqes erdhi në të njëjtën kohë kur Izraeli konfirmoi sulme të reja në Gazë, duke akuzuar Hamasin për shkelje flagrante të armëpushimit të shpallur në tetor. Ndërkohë, Uashingtoni ka bërë të ditur se plani ka hyrë në një fazë të dytë, të përqendruar në çarmatim dhe stabilizim afatgjatë.
Me këtë lëvizje, administrata Tramp synon të formësojë drejtpërdrejt të ardhmen politike, ushtarake dhe ekonomike të Gazës, duke e vendosur SHBA-në në qendër absolute të procesit të pasluftës.
