
Ish-kryeministri britanik largohet nga lista e rolit drejtues në planin e paqes, dyshohet për shkak të skepticizmit ndaj figurës së tij në botën arabe
Tony Blair nuk do të jetë pjesë drejtuese e bordit të planifikuar nga presidenti amerikan Donald Tramp për administrimin dhe paqen në Gazë. Sipas raportimeve të Financial Times, vendimi është marrë pasi disa vende arabe dhe myslimane kanë shprehur kundërshtim ndaj përfshirjes së ish-kryeministrit britanik, duke vënë në dyshim rolin që ai mund të kishte në proces.
Blair, i cili më parë ishte përfolur si një nga figurat kryesore të planit dhe kishte zhvilluar kontakte prapa skenave, mësohet të jetë hequr në heshtje nga struktura fillestare. Ndërkohë që mbështetësit e tij theksojnë rolin në marrëveshjen e paqes në Irlandën e Veriut, kritikët kujtojnë paaftësinë gjatë detyrës si përfaqësues i Kuartetit për Lindjen e Mesme, si dhe rolin në pushtimin e Irakut në vitin 2003, çka e ka bërë figurë të diskutueshme në botën arabe.
Burime pranë zhvillimeve lënë të hapur mundësinë që Blair të ketë një funksion më të kufizuar në plan, ndërsa bordi i paqes pritet të përbëhet nga udhëheqës aktivë ndërkombëtarë. Nga zyra e tij nuk ka koment zyrtar, por aleatë të Blair konfirmojnë se ai nuk do të jetë pjesë e strukturës kryesore.
Lëvizja shihet si një tjetër episod i paqartë në planin e Tramp, i cili kërkon krijimin e një force paqeruajtëse dhe administrate në Gazë, ndërkohë që situata në terren mbetet e tensionuar me operacione të vazhdueshme ushtarake.
