
Gazeta mbron artikullin për lodhjen e presidentit, ndërsa Tramp sulmon gazetaren Katie Rogers
The New York Times reagoi ndaj akuzave të Donald Tramp, pasi presidenti e cilësoi gazetaren Katie Rogers si të shëmtuar dhe artikullin e saj si të pavërtetë. Gazeta theksoi se raportimi ishte i saktë dhe i bazuar në fakte, duke bërë të ditur se nuk do të trembej nga sulmet personale.
Sipas artikullit, Tramp u pa të përpiqej të mos flinte gjatë një aktiviteti zyrtar në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa kalendari i tij i punës rezulton 39% më i ulët krahasuar me vitin e parë të mandatit të tij në 2017. Pjesa më e madhe e aktivitetit të presidentit zhvillohet mes mesditës dhe orës 17:00. Po ashtu, ai ka dyfishuar udhëtimet ndërkombëtare, ndërsa ato të brendshme janë pakësuar.
Tramp reagoi ashpër duke i quajtur gazetarët njerëz të neveritshëm dhe këmbënguli se nuk po ngadalësohej aspak. Ai rikujtoi se së fundmi ka bërë një kontroll fizik që sipas tij rezultoi i përkryer.
Shëndeti i presidentit ka qenë nën vëmendje të madhe këtë vit, sidomos pas fotografive që tregonin mavijosje në dorën e djathtë. Në korrik, Shtëpia e Bardhë sqaroi se bëhej fjalë për një problem të enëve të gjakut, i përhapur tek të moshuarit.
Tramp deklaroi se gjatë kontrollit të fundit mjekësor kishte bërë edhe një skanim MRI, të cilin e cilësoi si rezultatin më të mirë që mjeku i tij kishte parë ndonjëherë, ndonëse ai vetë pranoi se nuk e dinte se çfarë analizash përfshinte ekzaminimi.
Pavarësisht kritikave, presidenti është shprehur se energjia e tij mbetet e lartë dhe se do të vazhdojë punën pa u ndalur. Ai ka humbur peshë vitet e fundit, duke zbritur nga 244 paund në vitin 2020 në 224 paund këtë vit.
