
Presidenti amerikan përshkallëzon retorikën për aneksim në emër të sigurisë kombëtare, ndërsa liderët europianë shfaqen si spektatorë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka publikuar në rrjetin social Truth Social një hartë të re të SHBA, ku Groenlanda dhe Kanadaja shfaqen si pjesë e territorit amerikan. Postimi ka ngjallur reagime të forta ndërkombëtare, duke intensifikuar edhe më tej presionin e Tramp për marrjen e Groenlandës, të cilën ai e lidh drejtpërdrejt me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA.
Në imazhin e publikuar, Tramp shfaqet i ulur në Zyrën Ovale, ndërsa përreth tij duken disa liderë të NATO-s dhe Bashkimit Europian, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, të cilët sipas interpretimit simbolik të postimit paraqiten si vëzhgues të kësaj lëvizjeje provokuese.
Në një tjetër publikim, Tramp ka shkuar edhe më tej, duke shpallur simbolikisht Groenlandën si territor amerikan. Ai shfaqet së bashku me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, duke ngritur flamurin e SHBA në Groenlandë, pranë një tabele ku shkruhet Groenlandë, territor amerikan, themeluar 2026.
Retorika e Tramp nuk është ndalur vetëm te Groenlanda. Ai ka deklaruar vazhdimisht se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA, duke argumentuar se pa subvencionet ekonomike amerikane, vendi fqinj nuk do të ishte i qëndrueshëm ekonomikisht. Sipas tij, SHBA humbet rreth 200 miliardë dollarë në vit nga marrëdhëniet tregtare me Kanadanë.
Shtysa e fundit për Groenlandën, sipas Tramp, lidhet me zhvillimet gjeopolitike pas goditjeve amerikane në Karaakas dhe arrestimit të presidentit venezuelian Nicolás Maduro. Ai ka theksuar se pozicioni strategjik i Groenlandës në Arktik, burimet e mëdha të tokave të rralla dhe rreziku nga Rusia dhe Kina e bëjnë të domosdoshëm kontrollin amerikan mbi ishullin.
Tramp ka deklaruar se Rusia dhe Kina tashmë janë të pranishme në zonë me anije ushtarake, duke vënë në dyshim aftësinë e Danimarkës për të mbrojtur Groenlandën. Ai ka paralajmëruar gjithashtu tarifa ndaj vendeve europiane nëse nuk arrihet një marrëveshje, duke lënë të hapur edhe opsionin e përdorimit të forcës.
Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, ndërsa Danimarka kontrollon politikën e jashtme dhe mbrojtjen. Ishulli konsiderohet një pikë kyçe strategjike në Arktik dhe zotëron rezerva të mëdha mineralesh të rralla, si edhe rreth 20 për qind të ujit të ëmbël botëror të ngrirë në shtresat e akullit.
