
Presidenti i cilëson autorët si “kafshë” dhe premton ndëshkim të rëndë, ndërsa hetimet vijojnë pas të shtënave pranë Shtëpisë së Bardhë
Presidenti amerikan Donald Tramp reagoi me tone të forta të mërkurën, pasi dy efektivë të Gardës Kombëtare u qëlluan disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë. Në një mesazh publik, ai e quajti autorin e dyshuar “kafshë” dhe u shpreh se përgjegjësit do të përballen me pasoja të rënda.
Tramp njoftoi se të dy ushtarakët ndodhen në gjendje kritike dhe po trajtohen në spitale të ndryshme. Policia konfirmoi se një i dyshuar është vënë në pranga, por nuk dha detaje të tjera mbi identitetin apo motivin e sulmit.
Në momentin e ngjarjes, presidenti nuk ndodhej në Washington, por në kompleksin e tij në Florida për Ditën e Falënderimeve. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti është informuar menjëherë dhe po ndjek situatën nga afër.
Sulmi vjen në një periudhë kur qindra trupa të Gardës Kombëtare janë dislokuar në kryeqytet, pas urdhrit të Tramp në muajin gusht për të rritur praninë e forcave dhe për të luftuar kriminalitetin. Autoritetet federale dhe lokale po hetojnë rrethanat e të shtënave, ndërsa zona përreth u pushtua nga mjete emergjence dhe efektivë të sigurisë.
Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë bërë thirrje për lutje dhe mbështetje për dy ushtarakët e plagosur, ndërsa qyteti vijon të jetë në gatishmëri.
