
Presidenti amerikan thotë se Uashingtoni nuk do t’ia lërë drejtimin askujt tjetër pas kapjes së Maduros dhe paralajmëron se ushtria mund të qëndrojë në terren
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka deklaruar hapur se SHBA do të marrë drejtimin e Venezuelës për një periudhë të pacaktuar, deri në realizimin e një tranzicioni që ai e cilësoi si të sigurt, të rregullt dhe të drejtë. Deklarata u bë pas kapjes së presidentit venezuelan Nicolás Maduro nga forcat amerikane.
Tramp tha se Uashingtoni nuk mund të rrezikojë që vendi të bjerë sërish në të njëjtën situatë si më parë, ndaj SHBA do të qëndrojë dhe do ta drejtojë Venezuelën derisa të vendoset një rend i ri politik. Sipas tij, vendimet për drejtimin e përkohshëm të vendit po merren aktualisht dhe emrat e personave përgjegjës do të bëhen publikë së shpejti.
I pyetur nëse kjo nënkupton praninë e trupave amerikane në terren, Tramp u shpreh se SHBA nuk ka frikë nga dërgimi i trupave tokësore dhe se ushtria amerikane ka qenë tashmë e pranishme në Venezuelë gjatë operacionit të fundit. Ai theksoi se qëllimi është të sigurohet që vendi të drejtohet siç duhet dhe të mos përsëriten gabimet e së kaluarës.
Në të njëjtën linjë, Tramp deklaroi se kompanitë amerikane do të hyjnë në Venezuelë, do të investojnë miliarda dollarë dhe do të rindërtojnë infrastrukturën e dëmtuar, veçanërisht në sektorin e naftës. Sipas tij, ky proces do të sjellë fitime për Venezuelën dhe do ta bëjë vendin më të qëndrueshëm ekonomikisht.
Presidenti amerikan e cilësoi industrinë e naftës në Venezuelë si të shkatërruar dhe tha se partneriteti me kompanitë amerikane do ta bëjë popullin më të pasur, më të pavarur dhe më të sigurt. Ai shtoi se SHBA është e gatshme edhe për një ndërhyrje të dytë, madje më të madhe, nëse situata e kërkon.
Duke iu përgjigjur kritikave se një ndërhyrje e tillë bie ndesh me parimin “America First”, Tramp tha se stabiliteti në Amerikën e Jugut është në interesin e drejtpërdrejtë të SHBA-së, veçanërisht për shkak të burimeve energjetike të Venezuelës. Sipas tij, mbrojtja e këtyre burimeve është jetike si për Amerikën ashtu edhe për botën.
