
Presidenti njofton pagesa 1.776 dollarë për trupat amerikane, ndërsa fajëson paraardhësin për krizën e përballueshmërisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, mbajti të mërkurën në mbrëmje një fjalim kombëtar me rastin e fundvitit, ku prezantoi disa mesazhe kryesore mbi ekonominë, politikat e administratës së tij dhe mbështetjen për forcat e armatosura amerikane.
Gjatë fjalimit, Tramp njoftoi se më shumë se 1.45 milionë pjesëtarë të ushtrisë amerikane do të përfitojnë një bonus të posaçëm prej 1.776 dollarësh përpara Krishtlindjes. Sipas presidentit, pagesat do të financohen nga të ardhurat e mbledhura përmes tarifave doganore dhe janë tashmë në proces shpërndarjeje.
Në fjalën e tij, presidenti u ndal edhe te çështjet ekonomike, duke folur për inflacionin, çmimet dhe përballueshmërinë për familjet amerikane. Ai iu referua politikave të administratave të mëparshme, duke theksuar se qeveria aktuale synon të përmirësojë kushtet ekonomike dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Trump preku gjithashtu temën e strehimit, duke deklaruar se administrata e tij po punon për reforma të reja në këtë sektor. Ai paralajmëroi se muajin e ardhshëm do të prezantohen plane të detajuara për ndryshime në politikat e strehimit, pa dhënë detaje konkrete në këtë fazë.
Fjalimi i fundvitit zgjati rreth 20 minuta dhe u shoqërua me paraqitje grafike që, sipas Shtëpisë së Bardhë, pasqyrojnë zhvillime në çmimet dhe tregjet gjatë muajve të fundit. Presidenti e mbylli fjalimin duke uruar festat e fundvitit dhe duke falënderuar trupat amerikane për shërbimin e tyre.
