
Presidenti amerikan deklaron se Evropa po kalon rënie për shkak të emigracionit masiv dhe politikave liberale, duke paralajmëruar se disa shtete mund të mos mbeten më të qëndrueshme.
Presidenti Donald Tramp ka ashpërsuar kritikat ndaj udhëheqësve europianë, duke i cilësuar të dobët dhe të fokusuar më shumë tek korrektësia politike sesa tek siguria dhe interesat kombëtare. Në një intervistë për Politico, Tramp tha se Evropa po shkon drejt degradimit për shkak të politikave të emigracionit, duke e konsideruar situatën aktuale si një rrezik për identitetin dhe stabilitetin e kontinentit.
Sipas strategjisë së re të sigurisë kombëtare të administratës amerikane, Evropa përballet me kërcënim të zhdukjes kulturore për shkak të flukseve masive migratore. Dokumenti prej 33 faqesh nënvizon se vendet aleate të SHBA mund të humbasin rolin e tyre tradicional nëse nuk ndryshojnë qasjen ndaj emigracionit. Trump përmendi Hungarinë dhe Poloninë si shembuj pozitivë, ndërsa shumicën e vendeve të tjera të BE i konsideroi në rënie.
Administrata amerikane ka kërkuar më shumë raportim mbi krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga komunitetet migrante në Evropë, ndërsa i ka bërë presion qeverive që të shtrëngojnë politikat. Tramp deklaroi se mund të mbështesë kandidatë në zgjedhjet europiane, duke kujtuar rastet kur ka përkrahur Viktor Orbanin dhe Javier Milein.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh se kjo strategji tregon nevojën e Evropës për të pavaruruar sigurinë nga SHBA. NATO ka rritur objektivin minimal të shpenzimeve ushtarake nga 2 për qind në 5% të PBB, vendim afatgjatë që shumica e vendeve nuk mund ta arrijnë së shpejti.
Kongresi amerikan ka vendosur kufizime për uljen e pranisë ushtarake në Evropë, duke ndaluar Pentagonin të reduktojë trupat nën 76 mijë efektivë për periudha të gjata dhe duke bllokuar lëvizjen e pajisjeve strategjike me vlerë të lartë.
Debati mbi marrëdhëniet transatlantike pritet të nxehet më tej, teksa Tramp përforcon politikën America First dhe nxit aleatët europianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre
