
Projekti parashikon tërheqje graduale të ushtrisë izraelite, krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese dhe ngritjen e një Këshilli Paqeje të udhëhequr nga Tramp.
Presidenti amerikan Donald Tramp pritet të njoftojë para festave të fundvitit nisjen e fazës së dytë të planit për Gazën, sipas raportimit të Axios. Kjo fazë shihet si shtyllë kryesore e politikës së jashtme në mandatin e tij të dytë, ndërsa intensifikohen bisedimet me aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahou pritet të vizitojë SHBA brenda këtij muaji për të finalizuar detajet. Tramp thuhet se gjatë një telefonate i ka kërkuar atij të jetë “partner më bashkëpunues” në proces. Plani përfshin tërheqje të zgjeruar të forcave izraelite, vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi dhe krijimin e një strukture të re qeverisëse të quajtur Këshilli i Paqes, që do të drejtohej nga vetë Tramp. Këto propozime kanë marrë tashmë aprovimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Këshilli i Paqes do të mblidhte rreth dhjetë liderë arabë dhe perëndimorë, i mbështetur nga një komitet ekzekutiv ku parashikohet të jenë figura si Tony Blair, Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Nën mbikëqyrjen e tyre, Gaza do të administrohej nga një qeveri teknokrate palestineze me 12–15 anëtarë jo të lidhur me Hamas apo Fatah. Gjysma e kandidatëve fillestarë është skualifikuar.
Më vete, disa shtete si Indonezia, Azerbajxhani, Egjipti dhe Turqia janë shprehur të gatshme të dërgojnë trupa për misionin e stabilizimit. SHBA, Katari, Egjipti dhe Turqia po negociojnë me Hamas për një plan çarmatimi gradual – fillimisht armët e rënda, më pas ato të lehta. Në terren, formula synon një ekuacion të saktë: ushtria izraelite jashtë Gazës, por edhe Hamas jashtë pushtetit. Ende mbetet dilema nëse Hamas do të pranojë të heqë dorë nga armët dhe kontrolli territorial.
Në Washington zyrtarët flasin për njoftime të afërta, por në Izrael kritikat janë të forta. Analisti Amit Segal e quan nismën “me oksigjen artificial”, duke vënë në dukje refuzimin e Hamasit për tu çarmatosur dhe mungesën e gatishmërisë ndërkombëtare për të hyrë në Gaza në ballafaqim me grupin. Për të, rikthimi i luftimeve mbetet një skenar shumë i mundshëm në afat të shkurtër.
Ndërsa bisedimet vazhdojnë, bota pret të shohë nëse faza e dytë do të nisë me sukses apo do të ngecë në terrenin delikat politik, ushtarak dhe diplomatik që e rrethon Gazën.
