
Presidenti amerikan deklaron se trupat do të kthehen nëse krimi rritet sërish, pas vendimit të Gjykatës së Lartë kundër ndërhyrjes federale në Illinois
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka njoftuar tërheqjen e trupave të Gardës Kombëtare nga qytetet Çikago, Los Angeles dhe Portland, duke theksuar se kjo nuk nënkupton fundin e ndërhyrjes federale në këto zona. Në një mesazh publik, ai paralajmëroi se forcat do të rikthehen në një formë edhe më të fortë nëse niveli i kriminalitetit rritet përsëri.
Vendimi vjen gati një javë pasi Gjykata e Lartë rrëzoi pretendimet e administratës Tramp se situata në Illinois kërkonte aktivizimin e Gardës Kombëtare për mbrojtjen e agjentëve federalë që zbatonin politikat e emigracionit në Çikago. Sipas gjykatës, në këtë fazë qeveria nuk ka identifikuar një bazë ligjore që i lejon ushtrisë të zbatojë ligjet në territorin e shtetit të Illinois.
Në reagimin e tij në rrjetin social Truth Social, Tramp deklaroi se tërheqja e trupave po bëhet pavarësisht faktit se, sipas tij, krimi ishte ulur ndjeshëm falë pranisë së Gardës Kombëtare. Ai shtoi se rikthimi i tyre është vetëm çështje kohe, nëse situata e sigurisë përkeqësohet.
Presidenti kishte urdhëruar dislokimin e Gardës Kombëtare në këto qytete me argumentin se krimi kishte dalë jashtë kontrollit, një pretendim që u kundërshtua nga autoritetet lokale dhe u sfidua në gjykatë. Vendimi i Gjykatës së Lartë lidhet drejtpërdrejt vetëm me Çikagon, por pritet të forcojë kundërshtime të ngjashme edhe në shtete të tjera.
Megjithatë, vendimi nuk është i detyrueshëm për Distriktin e Kolumbias, pasi Uashingtoni nuk është shtet federal, çka i lë administratës hapësirë për veprime të ndryshme në kryeqytet.
Tërheqja e trupave dhe deklaratat e Tramp kanë rindezur debatin në Shtetet e Bashkuara mbi kufijtë e pushtetit federal, përdorimin e forcave ushtarake për çështje të rendit publik dhe marrëdhëniet mes qeverisë qendrore dhe shteteve federale.
